Humbën betejën nga Covid-19, dy rrugë në Tiranë marrin emrat e mjekëve
2024-05-31 15:44:22

Emrat e rrugëve (Foto RTSH)

Emrat e Bledi Ninit dhe Gerond Husit, dy mjekët që humbën jetën për shkak të Covid-19, janë përjetësuar në dy rrugë të ndryshme në Tiranë, pranë spitalit të Sanatoriumit. Në një ceremoni në tarracën e Bashkisë së Tiranës, kryebashkiaku Erion Veliaj u shpreh se ky është një moment për reflektim.

“Ky është një moment për të reflektuar, por edhe për ta trajtuar si një ditë kur festojmë jetën e tyre, një jetë të cilën ata e jetuan me një shpejtësi të jashtëzakonshme, të mbushur me mirësi, dashuri dhe energji të madhe. Aseti numër një i qytetit janë njerëzit dhe në qoftë se Tirana është kjo që është sot, është sepse ka njerëzit, si fije të padukshme që na lidhin bashkë. Nuk besoj se ka njeri që kontribuon më shumë në lidhjen mes njerëzve të një qyteti sesa mjeku”,- u shpreh Veliaj.

Ai vlerësoi punën e vështirë të mjekëve shqiptarë, veçanërisht gjatë pandemisë dhe u shpreh se koha kur ata ishin në front për të mbrojtur jetën e të tjerëve, duhet të na shërbejë gjithmonë si një moment reflektimi për të nderuar heronjtë me bluza të bardha, citon “RTSH”.

Bledi Nini, mjeku otorinolaringolog u nda nga jeta më 25 nëntor 2020, në kulmin e karrierës së tij, në moshën 48-vjeçare. Ndërsa Gerond Husi, mjek endokrinolog, humbi jetën disa muaj më vonë, në 13 mars të vitit 2021, në moshën 50-vjeçare.

Ata të dy u infektuan me Covid-19 gjatë punës së pandërprerë në kohë pandemie, në qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”. (Elona)