Përdorimi i alkoolit te adoleshentët, ISHP: Raporti i OBSH-së evidenton dehje te 15-vjeçarët
2024-05-31 15:07:38

Pije alkoolike (Foto Sotnews)

Raporti i OBSH-së për sjelljet e adoleshentëve solli për Shqipërinë shifra shqetësuese, jo vetëm në drejtim të duhanpirjes, por edhe në atë të përdorimit të alkoolit.

Genta Qirjako, përgjegjëse e Promocionit Shëndetësor në Institutin e Shëndetit Publik, thotë se studimi mori në shqyrtim dy elementë analizues, bën të ditur “RTSH”.

Sipas këtij raporti, vihet re se 14% e djemve dhe 8% e vajzave 15-vjeçare janë dehur në muajt e fundit, ndërsa fenomeni është i pranishëm edhe te fëmijët më të vegjël, 11-13 vjeç.

Në 10 vitet e fundit statistikat tregojnë rritje të përdorimit të alkoolit edhe te vajzat e vogla. Ajo që raporti evidenton është se përdorimi gjatë gjithë jetës i alkoolit është më shumë i evidentuar te djemtë që vijnë nga familje me ndikim në pothuajse gjysmën e vendeve europiane.

E ndërsa ligji e ndalon shitjen e pijeve me përqindje alkooli moshave nën 18 vjeç, duket se mënyrat për t’i gjetur këto produkte janë të lehta. (Elona)