INSTAT: Aksidentet rrugore u rritën me 78% në prill
2024-05-31 15:10:34

Aksident (Foto Panorama)

Në prill, numri i aksidenteve ishte 123, me rritje mbi 78% në raport me prillin 2023, sipas të dhënave të publikuara nga Instituti i Statistikave.

Referuar periudhës 4-mujore, numri i aksidenteve ishte 500, nga 332 që ishte në të njëjtën periudhë të një viti më parë.

“Në muajin prill 2024 numërohen 123 aksidente rrugore, me 164 të aksidentuar (të vrarë dhe të plagosur). Gjatë 4-mujorit të parë 2024, vdekshmëria në aksidente rrugore është 10.8 për 100 aksidente, nga 17.8 që ishte në të njëjtën periudhë të një viti më parë”,- thuhet në raportin e INSTAT-it, citon “Panorama”.

Shkak kryesor për aksidentet, sipas të dhënave, vlerësohet se është sjellja e shoferëve në timon, ndërkohë që grupmosha më problematike vlerësohet se është ajo mes 25-34 vjeç.

Në muajin prill, numri më i lartë i aksidenteve rrugore ka ndodhur ditën e hënë me 23.5%, ndërsa numri më i ulët i aksidenteve ka ndodhur në ditën e shtunë, me 9.8 %. (Elona)