Izraeli: Kemi marrë nën kontroll korridorin strategjik përgjatë kufirit Gaza-Egjipt
2024-05-31 16:09:19

Kufiri - Gaza (Foto RTSH)

Kufiri - Gaza (Foto RTSH)

Ushtria izraelite njoftoi se ka marrë kontrollin e korridorit strategjik përgjatë kufirit të Gazës me Egjiptin, për të ndërprerë tunelet e kontrabandës, ndërsa përpiqet të shkatërrojë grupin militant të Hamasit, shkruan “RTSH”.

Marrja e kontrollit të Korridorit të Filadelfit mund të komplikojë marrëdhëniet e Izraelit me Egjiptin, i cili është ankuar për përparimin e Izraelit drejt kufirit të tij.

Izraeli pretendon se korridori është plot me tunele të mbushura me armë dhe mallra të tjera për Hamasin, pavarësisht bllokadës shumëvjeçare të vendosur nga Izraeli dhe Egjipti.

Gjithashtu, Izraeli thelloi inkursionin e tij në qytetin jugor të Gazës, Rafah, ku qindra mijëra persona kanë kërkuar strehim nga luftimet.

Egjipti bëri të ditur se rritja e trupave izraelite në zonën strategjike kufitare do të shkelte marrëveshjen e paqes të vendeve të vitit 1979 dhe tashmë është ankuar për marrjen e kalimit kufitar Rafah nga Izraeli, i vetmi vendkalim midis Gazës dhe Egjiptit.

“Korridori i Filadelfit shërbeu si linja e oksigjenit të Hamasit përmes së cilës grupi militant kryente rregullisht kontrabandë armësh në Gaza”,- deklaroi zëdhënësi i shefit ushtarak të Izraelit, admirali Daniel Hagari.

Një zyrtar ushtarak izraelit tha se Izraeli e kishte njoftuar Egjiptin për marrjen e kontrollit.

“Janë gjetur rreth 20 tunele, përfshirë disa të panjohur më parë për Izraelin, si dhe 82 pika aksesi në tunele”, tha zyrtari, duke folur në kushte anonimiteti në përputhje me rregulloret ushtarake. (Elona)