Përfitimet e reja të administratë, nga ulja e orarit zyrtar të punës te rritja e pagave
2024-05-31 15:51:39

Ministrja e Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin, Adea Pirdeni (Foto RTSH)

Ministrja e Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin, Adea Pirdeni (Foto RTSH)

Ulja e orarit të punës nga 8 orë në 6 orë e gjysmë, nisja e punës në 09:00 deri në 15:30, heqja e kufizimit minimumi 1 javë për marrjen e lejes vjetore, rritja e pagave brenda këtij viti, projekti pilot se kush punon mirë do të shpërblehet, janë disa nga një seri lehtësirash nga të cilat mund të përfitojë administrata publike.

Ministrja e Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin, Adea Pirdeni, në prezantimin e “Paketës së Motivimit për Administratën”, tha se ndër përfitimet kryesore do të jetë fleksibiliteti i orareve në punë për punonjësit e administratës, citon “RTSH”.

“Dëshiroj të ndaj me ju lajmin e mirë që brenda këtij viti punonjësve do t’u mundësohet të alternojnë dhe përzgjedhin nisjen e orarit ditor të punës, sipas agjendës që dikton dhe jeta familjare, shoqërimi i fëmijëve në çerdhe, kopshte dhe shkolla”,- u shpreh ministrja Pirdeni.

Sipas saj, ndërsa të gjithë duhet të jenë në punë brenda një fashe orare të përcaktuar 09.00-15:30, punonjësit mund të përzgjedhin që ta nisin ditën e tyre të punës më herët dhe ta përfundojnë më herët dhe e anasjella, praktikë kjo tashmë e aplikuar në disa vende të Europës.

Nga kjo përjashtohen ato njësi që kanë kontaktin e drejtpërdrejtë me qytetarin.

Ministrja u ndal edhe te rritja e pagave brenda vitit 2024, duke bërë të ditur se brenda këtij viti do të rriten pagat për nëpunësit e nivelit specialist, për punonjësit e njësive të vetëqeverisjes vendore, ushtarakët, punonjësit e policisë dhe të arsimit. Sektori publik, vuri në dukje ajo, tashmë është shndërruar në punëdhënës tërheqës.

Ajo informoi se në tre ministri po zbatohet një projekt pilot që ka si qëllim që kush punon mirë do të shpërblehet. (Elona)