Ministria e Brendshme nënshkruan me FSHF-në memorandum mirëkuptimi kundër dhunës në stadiume
2024-05-30 10:25:34

Ministri Balla - Armando Duka (Foto Atsh)

Ministri Balla - Armando Duka (Foto Atsh)

Ministri i Brendshëm, Taulant Balla, nënshkroi një memorandum mirëkuptimi me kreun e Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, kundër dhunës në stadiume, përmirësimin e menaxhimit të turmës, mbrojtjen e të drejtave të të pranishmëve që ndjekin aktivitetet sportive dhe kundër paracaktimit të rezultateve në garat sportive, shkruan “ATSH”.

Sipas dokumentit, Policia e Shtetit do të kujdeset për sigurinë e ekipit kuqezi gjatë pjesëmarrjes në Kampionatin Europian të Futbollit.

“Nëpërmjet këtij memorandumi, Ministria e Brendshme dhe Federata Shqiptare e Futbollit angazhohen të bashkëpunojnë ngushtësisht për të hartuar dhe zbatuar politika gjithëpërfshirëse kundër dhunës dhe paracaktimit të rezultateve në garat sportive. Së bashku do të përqendrojmë forcat tona në masa parandaluese, iniciativa edukative dhe ndërgjegjësuese, si dhe në masa ndëshkimore të rrepta për shkelësit”,- deklaroi ministri Balla.

“Këtë vit, Shqipëria ka arritur një sukses të jashtëzakonshëm duke u kualifikuar për Euro 2024. Ky është një moment krenarie për të gjithë vendin dhe një dëshmi e përpjekjeve të palodhshme të lojtarëve, trajnerëve dhe gjithë stafit të Federatës Shqiptare të Futbollit. Ky kualifikim na kujton rëndësinë e bashkëpunimit dhe përkushtimit të përbashkët për të arritur objektiva të mëdha”,- tha ministri Balla. (Irma)