“Amnisty International”: Dënimi me vdekje ka arritur nivelin më të lartë global që nga viti 2015
2024-05-30 17:13:56

Gjykata per denimet me vdekje (Foto Atsh)

“Amnesty International” bëri të ditur se dënimi me vdekje ka arritur nivelin më të lartë global që nga viti 2015. Sipas grupit të të drejtave të njeriut, rreth 1153 persona u ekzekutuan në 16 vende në vitin 2023, një rritje me 31% nga 883 një vit më parë, shkruan “ATSH”.

Numri më i madh i ekzekutimeve, pothuajse tre të katërtat e totalit botëror, u kryen në Iran. Të paktën 853 persona u ekzekutuan në vendin e Lindjes së Mesme në vitin 2023, një rritje prej 48% krahasuar me një vit më parë.

Në vend të dytë renditet Arabia Saudite me 172 ekzekutime, e barabartë me 15% të totalit botëror. Somalia dhe SHBA-ja panë gjithashtu rritje të dënimeve me vdekje vitin e kaluar, përkatësisht në 38 dhe 24.

Numri i vendeve që përdorin dënimin me vdekje ra në nivelin më të ulët historik në vitin 2023, pasi vende si Bjellorusia, Japonia, Mianmari dhe Sudani i Jugut nuk regjistruan asnjë ekzekutim.

Megjithatë, numri i dënimeve të reja me vdekje të dhëna në mbarë botën në vitin 2023 u rrit me 20% në 2428.

Rreth 144 vende e kanë hequr dënimin me vdekje në ligj ose në praktikë. (Irma)