OBSH-ja bën thirrje për vaksinim ndaj fruthit
2024-05-30 17:03:07

Fruthi (Foto Panorama)

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) ka dhënë alarmin për rritjen e rasteve me fruth, duke paralajmëruar se numri mund të kalojë nivelin e vitit 2023 ku u raportuan 61.070 raste.

Sipas shifrave të fundit, 56.634 raste të fruthit dhe katër vdekje u raportuan zyrtarisht në 45 vendet e Europës të OBSH-së në tre muajt e parë të vitit 2024.

Vjet u raportuan 61.070 raste, më shumë se gjysma kërkonte shtrimi në spital, dhe 13 vdekje nga 41 vende, ndërsa në vitin 2022 vetëm 941 raste, shkruan “Panorama”.

“Edhe një rast i fruthit duhet të jetë një thirrje urgjente për veprim”,- deklaroi – drejtori rajonal i OBSH-së për Europën, Hans Kluge.

“Askush nuk duhet të vuajë pasojat e kësaj sëmundjeje shkatërruese, por lehtësisht të parandalueshme. Përshëndes çdo vend që ka rritur përpjekjet për të ndaluar transmetimin përmes vaksinimit përforcues. U bëj thirrje të gjitha vendeve që të ndërmarrin veprime të menjëhershme, edhe aty ku mbulimi i përgjithshëm i vaksinimit është i lartë, të vaksinojnë grupet vulnerabël, të mbulojnë boshllëqet e imunitetit dhe kështu të parandalojnë përhapjen e virusit në çdo komunitet”,- tha Kluge. (Irma)