Presidenti rus thirrje Perëndimit: Mos e lejoni Ukrainën të përdorë raketat tuaja
2024-05-30 15:22:17

Presidenti rus (Foto Panorama)

Presidenti rus (Foto Panorama)

Presidenti rus, Vladimir Putin, paralajmëroi Perëndimin se anëtarët e NATO-s në Europë po luanin me zjarrin duke propozuar lejimin e Ukrainës që të përdorë armë perëndimore për të goditur në thellësi të territorit rus, shkruan “Panorama”.

Kur kanë kaluar më shumë se dy vjet nga konflikti ruso-ukrainas, presidenti Putin ka folur gjithnjë e më shumë mbi rrezikun e një konflikti shumë më të gjerë global.

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, deklaroi në një intervistë mediatike se anëtarët e aleancës duhet ta lejojnë Ukrainën të përdorë armë perëndimore, pikëpamje e mbështetur nga disa vende anëtare të NATO-s.

“Përshkallëzimi i vazhdueshëm mund të shkaktojë pasoja të rënda”,- deklaroi presidenti rus.

Putin tha se sulmet ukrainase ndaj Rusisë me armë me rreze të gjatë veprimi do të kishin nevojë për ndihmë satelitore, zbulimi dhe ushtarake perëndimore, kështu që Perëndimi do të përfshihej drejtpërdrejt.

Sipas tij, dërgimi i trupave franceze në Ukrainë do të ishte hap drejt një konflikti global. (Irma)