Norvegji - Irlandë, hyn në fuqi njohja e Palestinës si shtet
2024-05-29 15:37:40

Flamuri palestinez (Foto RTSH)

Flamuri palestinez (Foto RTSH)

Norvegjia njohu të martën zyrtarisht një shtet të pavarur palestinez, pavarësisht kundërshtimit të fortë nga Izraeli.

“Njohja zyrtare nga Norvegjia e Palestinës si shtet hyri në fuqi të martën më 28 maj 2024”,- njoftoi Ministria e Jashtme norvegjeze në një deklaratë.

Pas Norvegjisë, vendimin e njoftoi edhe Irlanda.

“Qeveria e njeh Palestinën si një shtet sovran dhe të pavarur dhe ra dakord të vendosë marrëdhënie të plota diplomatike midis Dublinit dhe Ramallahut zyrtar”,- njoftoi qeveria irlandeze në një deklaratë, pasi miratoi njohjen në një takim të kabinetit, shkruan “Xinhua”.

“Një ambasador i Irlandës në Shtetin e Palestinës do të emërohet së bashku me një Ambasadë të plotë të Irlandës në Ramallah”, - thuhet në deklaratë.

Kryeministri Simon Harris tha: “Vendimi i Irlandës ka të bëjë me mbajtjen gjallë të shpresës. Ka të bëjë me besimin se një zgjidhje me dy shtete është e vetmja mënyrë që Izraeli dhe Palestina të jetojnë krah për krah në paqe dhe siguri”. (Elona)