Ministrja Koçiu në Gjenevë: Shqipëria po prodhon mbi 50 autoambulanca për Ukrainën
2024-05-29 17:15:22

Foto:VCG

Foto:VCG

Shqipëria po prodhon mbi 50 autoambulanca për Ukrainën. Lajmin e bëri të ditur ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu, gjatë takimit të martën në Gjenevë me homologë ministra dhe ambasadorë, të organizuar në kuadër të Asamblesë së 77-të Botërore të Shëndetësisë. Takimi synonte të mbështeste ringritjen e sistemit shëndetësor të Ukrainës, bën të ditur “RTSH”.

Gjatë takimit, ministrja Koçiu theksoi angazhimin e palëkundur të Shqipërisë për mbështetjen e vazhdueshme ndaj Ukrainës, duke ofruar ekspertizën teknike, pajisje mjekësore dhe ndihmë financiare për të forcuar kapacitetet në infrastrukturën shëndetësore.

“Kemi nisur prodhimin e mbi 50 autoambulancave për Ukrainën, të gjitha të përshtatshme në përgjigje të emergjencave për të plagosurit nga sulmet ruse”,- u shpreh ministrja Koçiu.

Ajo theksoi se së bashku me partnerët ndërkombëtarë, nëpërmjet partneriteteve strategjike dhe bashkëpunimit të vyer, mbeten të përkushtuar për ndërtimin e një kujdesi shëndetësor gjithëpërfshirës në Ukrainë. (Elona)