Guvernatori Sejko: Rritja eksporteve dhe turizmit forcuan lekun
2024-05-29 15:41:52

Guvernatori i BSH-së, Gent Sejko (Foto Panorama)

Guvernatori i BSH-së, Gent Sejko (Foto Panorama)

Forcimi i monedhës vendase në kursin e këmbimit valutor ka ardhur si pasojë e përmirësimit të bilancit të shkëmbimeve tregtare dhe financiare të Shqipërisë me botën, të pasqyruara në rritjen e eksporteve, kryesisht të turizmit, remitancave dhe investimeve të huaja direkte.

Deklarata u bë nga guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, gjatë prezantimit të raportit vjetor 2023 të institucionit që ai drejton në Komisionin parlamentar për Ekonominë dhe Financat, citon “ATSH”.

Sipas guvernatorit, forcimi i lekut ka ndikuar pozitivisht në ekonominë e vendit.

Guvernatori Sejko bëri të ditur se gjatë vitit 2023 është ndërhyrë më pak se në vitin 2022 në rritjen e normës së interesit, çka pasqyroi forcimin e kursit të këmbimit dhe kahun konsolidues të politikës fiskale.

“Gjatë vitit 2022 ne kryem pesë rritje të normës të interesit, për një efekt kumulativ prej 2.25 pikësh përqindjeje, gjatë vitit 2023 ne kryem vetëm dy rritje të normës bazë, me një efekt kumulativ prej 0.5 pikësh përqindjeje. Ky ngadalësim pasqyroi forcimin e kursit të këmbimit dhe kahun konsolidues të politikës fiskale. Mbiçmimi i shpejtë i lekut ndihmoi në zbutjen e presioneve të huaja inflacioniste, ndërsa konsolidimi fiskal ndihmoi në frenimin e presioneve të brendshme”,- deklaroi Sejko.

Sipas tij, forcimi i lekut ka qenë dhe vijon të jetë një nga zhvillimet më të diskutuara ekonomike.

“Analizat tona kanë synuar të identifikojnë arsye, pasojat dhe implikimet e tij për stabilitetin monetar dhe financiar të vendit. Në këto rrethana, forcimi i lekut pati një ndikim tërësor pozitiv në ekonomi. Kontribuoi në kontrollin e inflacionit duke rritur fuqinë blerëse të shqiptarëve dhe mundësoi një normalizim më gradual të qëndrimit politikës sonë monetare gjatë vitit 2023, duke mbajtur të ulëta kostot e financimit të bizneseve. Rrjedhimisht, Shqipëria pati njëkohësisht një nga normat më të larta të rritjes ekonomike, normën më të ulët të inflacionit dhe rritjen më të ngadaltë të kostove të financimit ndër vendet e rajonit”,- u shpreh Sejko.

Guvernatori i BSH-së vuri në dukje se ekonomia shqiptare ka qenë dhe mbetet një ekonomi me një nivel relativisht të lartë informaliteti, fenomen që ka pasojat e tij në shumë tregues ekonomikë të vendit, përfshi potencialisht edhe kursin e këmbimit. (Elona)