Kryeministri izraelit: Sulmi në Rafah, gabim tragjik
2024-05-29 15:34:32

Kryeministri Benjamin Netanyahu (Foto ATSH)

Kryeministri Benjamin Netanyahu (Foto ATSH)

Gabim tragjik e ka quajtur kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu sulmin në qytetin jugor të Gazës, Rafah. Zjarri në një kamp ku strehoheshin palestinezët e zhvendosur, sipas zyrtarëve lokalë, vrau të paktën 45 persona, bën të ditur “RTSH”.

Sulmi vetëm sa shtoi kritikat në rritje ndërkombëtare me të cilat është përballur Izraeli për luftën e tij me Hamasin, me aleatët e tij më të afërt që shprehin zemërim për vdekjet e civilëve.

Izraeli këmbëngul në respektimin e ligjit ndërkombëtar, edhe pse përballet me shqyrtimin e gjykatave më të larta të botës, njëra prej të cilave javën e kaluar bëri thirrje për ndalimin e ofensivës së Rafahut.

Kryeministri izraelit Netanyahu nuk dha detaje mbi gabimin.

Ushtria izraelite fillimisht pretendoi se kishte kryer një sulm ajror të saktë në një kompleks të Hamasit, duke vrarë dy militantë.

Ndërsa dolën detaje të sulmit dhe zjarrit, ushtria bëri të ditur se kishte hapur një hetim për vdekjet e civilëve.

Sulmi i së dielës, i cili dukej të ishte një nga më të përgjakshmit e luftës, e çoi numrin e përgjithshëm të vdekjeve palestineze në luftë mbi 36.000, sipas Ministrisë së Shëndetësisë të Gazës.

“Me gjithë përpjekjet tona më të mira për mos të dëmtuar civilët e pafajshëm, ndodhi një gabim tragjik. Ne po hetojmë incidentin”,- tha Netanyahu në një fjalim në Parlamentin izraelit. (Elona)