Nënshkruhet marrëveshja mes UBT-së dhe universitetit BOKU të Vjenës
2024-05-29 15:03:17

Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu (Foto ATSH)

Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu (Foto ATSH)

Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu, deklaroi se bashkëpunimi mes Universitetit Bujqësor të Tiranës dhe Universitetit BOKU të Vjenës do të sjellë 6 risi, duke nisur nga oferta akademike dhe duke vijuar me teknologjinë dhe inovacionin.

E pranishme gjatë aktivitetit të zhvilluar në kuadër të marrëveshjes së bashkëpunimit mes dy institucioneve arsimore, që në fokus ka modernizimin e Universitetin Bujqësor të Tiranës, ministrja Manastirliu nënvizoi mbështetjen e qeverisë për arsimin e lartë, ku është dyfishuar buxheti për kërkimet shkencore, citon “ATSH”.

“Është një moment shumë i rëndësishëm për ndërkombëtarizmin e universiteteve tona”,- tha Manastirliu në çelje të fjalës së saj, duke e cilësuar një bashkëpunim të zakonshëm.

“Kemi vendosur të bashkëpunojmë duke bërë bashkë burimet njerëzore dhe ato financiare. Për herë të parë, qeveria shqiptare, përmes Ministrisë së Arsimit e Sportit, vendos një kontribut financiar direkt për këtë program ndërkombëtarizimi, duke angazhuar rreth 2 milionë euro në këtë projekt, duke qenë dhe duke patur besimin se do të jetë vërtet një proces i cili jo vetëm do të transformojë programet e studimit, por do t’i japë një shtysë të gjitha aspekteve që lidhen me kërkimin shkencor të Universitetit Bujqësor të Tiranës”,- u shpreh Manastirliu.

Ajo tha se UBT-ja, në vizionin 2030, do të ketë prioritet nga ky bashkëpunim 6 shtylla kryesore. Së pari, ofertë të re akademike, ndërkombëtarizimin, modernizimin e menaxhimit dhe administrimit, digjitalizimin si pjesë përbërëse horizontale e të gjitha programeve të studimit, kërkimin shkencor dhe transferimin e njohurive dhe të teknologjis. (Elona)