Dita Ndërkombëtare e Urgjencës, Qendra Kombëtare Mjekësore ndërgjegjëson qytetarët
2024-05-29 17:16:38

Urgjenca (Foto RTSH)

Urgjenca (Foto RTSH)

Me moton “Dy duar për të shpëtuar një jetë” në kryeqytet u mbajtën aktivitete të ndryshme në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Urgjencës. Kreu i Urgjencës Kombëtare, Skënder Brataj, shpjegoi për të pranishmit demonstrimet që bënin infermierët për t’i dhënë ndihmën e parë çdo personi në rrezik jete, bën të ditur “RTSH”.

“Në rastin e një aksidenti apo infarkti ndërhyni përmes disa veprimeve të thjeshta. Koha në të tilla raste është vendimtare”,- u shpreh ai.

Në Ditën Ndërkombëtare të Urgjencës Mjekësore, mjekë dhe infermierë demonstruan këto rregulla në sheshin “Skënderbej” dhe te Parku i Liqenit në Tiranë.

“Jetëgjatësia e qelizës cerebrale është 4-6 minuta, pas 6 deri në 10 minuta fillojnë dëmtimet dhe pas 10 minutave ato bëhen të pakthyeshme, që do të thotë se personi mund të kthehet në jetë, por do të mbetet gjithë kohën në koma. Duart janë të njëjta që mund të ketë një mjek, një infermier një profesor, duhet vetëm të bëhet në mënyrë të rregullt në qendër të gjoksit shtypje 100-120 herë në minutë duke e shtypur 5-6 cm tek i rrituri, 4-5 cm te fëmija dhe 2.5-4 cm te foshnjat.

Kjo garanton që gjaku i oksigjenuar të qarkullojë, oksigjeni të ushqejë qelizën cerebrale për ato minuta që duhet të mbërrijë ekipi mjekësor”,- u shpreh Brataj. (Elona)