Spanja njeh zyrtarisht shtetin palestinez
2024-05-29 16:25:53

Flamuri palestinez (Foto RTSH)

Flamuri palestinez (Foto RTSH)

Spanja e njohu zyrtarisht Palestinën si shtet të martën, pas miratimit në një mbledhje të Këshillit të Ministrave të kryesuar nga kryeministri spanjoll Pedro Sanchez.

“Ne kemi miratuar njohjen sepse është e drejtë për popullin palestinez, e vetmja mënyrë për të garantuar sigurinë për Izraelin dhe për të siguruar paqen në rajon”,- tha në një konferencë shtypi ministri spanjoll për Punët e Jashtme, Bashkimin Europian dhe Bashkëpunimin, Jose Manuel Albares.

Në një deklaratë para takimit, Sanchez tha: “Është një vendim historik me objektivin e vetëm për të ndihmuar izraelitët dhe palestinezët të arrijnë paqen”. Ai tha gjithashtu se Spanja do të njihte një shtet palestinez të zbatueshëm, duke përfshirë Rripin e Gazës dhe Bregun Perëndimor të lidhur me një korridor, të bashkuar nën Autoritetin Palestinez dhe me Jeruzalemin Lindor si kryeqytet, bën të ditur “Xinhua”.

“Ne nuk do të njohim ndryshime në vijat kufitare të vitit 1967, përveç atyre për të cilat janë rënë dakord nga palët”,- shtoi ai.

Zëvendëskryeministrja Yolanda Diaz e përshkroi gjithashtu ditën si historike. Ndërkohë, ajo bëri thirrje për një embargo armësh ndaj Izraelit, duke thënë se njohja e Palestinës nuk mjaftonte.

Në një lëvizje të koordinuar, Norvegjia, Irlanda dhe Spanja njoftuan të mërkurën e kaluar vendimin e tyre për të njohur Palestinën si shtet më 28 maj.  (Elona)