Gjinekologu: Projektligji për surrogacinë, i nxituar
2024-05-29 17:19:34

Gjinekologu Astrit Bimbashi (Foto RTSH)

Gjinekologu Astrit Bimbashi (Foto RTSH)

Gjinekologu Astrit Bimbashi e ka konsideruar të nxituar projektligjin e ri për surrogacinë, në një kohë kur, sipas tij, edhe Parlamenti Europian e ka votuar kundër.

Gjatë një interviste në “RTSH”, Bimbashi theksoi se përveçse është dënuar nga Parlamenti Europian, Italia e konsideron si krim ndërkombëtar.

Ai vuri në dukje se një italiane nuk mund të vijë në Shqipëri dhe të marrë fëmijë nga një nënë surrogate apo të bëhet vetë e tillë. Ai shtoi se Shqipëria duhet të fokusohet më shumë në aspektin e shëndetit riprodhues, aq më tepër kur lindshmëria vitet e fundit ka rënë ndjeshëm.

“E gjithë kjo historia e surrogacisë dhe abortit lë mënjanë atë që ne duhet të diskutonim për shëndetin riprodhues. Të harxhojmë po këto para që ofrohen duke i ofruar gruas një shërbim më të mirë, sepse do të kemi fëmijë më të shëndetshëm dhe fëmijë më të mirë dhe aq më tepër për një vend si ky i yni ku lindshmëria ka rënë vitet e fundit për 100 arsye të tjera”,- shpjegoi mjeku Bimbashi. (Elona)