Korça priti festivalin folklorik “Shpirti i Ballkanit”
2024-05-28 15:46:44

Festivali ne Korce (Foto Gazetasi)

Gjatë fundjavës u mbajt në Korçë edicioni i 6-të i festivalit “Shpirti i Ballkanit”, festivali më i madh folklorik në rajon, njofton “ATSH”.

Ansamblet nga Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Greqia, Mali i Zi dhe Bullgaria krijuan një atmosferë të këndshme nën tingujt dhe kërcimet e tabanit popullor.

Grupet e ftuara kanë sjellë traditat e tyre, vallëzimin e melodinë, duke u bërë promovues të kulturës ballkanike.

Për herë të parë në Korçë ka qenë i ftuar edhe një ansambël nga Maroku.

Festivali u organizua nga Bashkia e Korçës si dhe Qendra e Kulturës dhe Inovacionit, të cilët ishin kujdesur për të ftuar ansamble me cilësi të lartë artistike.

Qëllimi i “Shpirtit të Ballkanit” është ruajtja dhe promovimi i trashëgimisë jomateriale, si dhe nxjerrja në pah e vlerave që mbart rajoni i Ballkanit. (Fatosi)