Ministrja gjermane vlerëson marrëveshjen e emigrantëve mes Shqiërisë dhe Italisë
2024-05-28 15:56:33

Minsitrja gjermane (Foto Rtsh)

Disa shtete perëndimore po punojnë për trajtimin e procedurave të azilit në vende të treta për arsye logjistike. Britania e Madhe ka modelin e Ruandës, ndërsa Italia dhe Shqipëria kanë rënë dakord që një numër i caktuar emigrantësh çdo vit t'i nënshtrohen procedurës për azil në tokën shqiptare, shkruan “RTSH”.

“Jam entuziaste kur shoh se çfarë po bëjnë Italia dhe Shqipëria së bashku. Italia do që procedurat e azilit t'i kryejë në Shqipëri. Është një model interesant, të cilin po e diskutoj me homologen time italiane”,- deklaroi Nensi Fezer, ministrja gjermane e Punëve të Brendshme dhe të Komunitetit, në një intervistë mediatike.

Qeveria qendrore dhe drejtuesit e landeve të Gjermanisë po shqyrtojnë mundësinë për të ndjekur një shembull të ngjashëm për procesimin e azilkërkuesve jashtë Bashkimit Europian.

Ministrja Fezer thotë se kjo çështje është e komplikuar, pasi duhen gjetur vendet e gatshme për të pritur një fluks të lartë refugjatësh, që ata të jenë të sigurt atje dhe t'u respektohen të drejtat themelore të njeriut.

Raportohet se katër lande gjermane i kanë shprehur rezerva Ministrisë së Brendshme se po hasin probleme me kthimin e emigrantëve për të cilët është vendosur largimi nga vendi. (Fatosi)