Fluks turistësh në Kalanë e Gjirokastrës, mbi 50 mijë vizitorë 5 muajt e parë të vitit
2024-05-27 10:43:49

Turistë në Kalanë e Gjirokastrës (Foto ATSH)

Turistë në Kalanë e Gjirokastrës (Foto ATSH)

Kalaja e Gjirokastrës, falë vlerave historike dhe arkitektonike që mbart vazhdon të ngelet monumenti më i preferuar për t’u vizituar nga grupet turistike vendase dhe të huaja përgjatë guidave dhe udhëtimeve të tyre në qytetin e gurtë, shkruan ATSH.

Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Gjirokastër bën të ditur  se “mbi 50 000 vizitorëve vizituan Kalanë e Gjirokastrës për periudhën janar-maj 2024”.

Në periudhën janar-maj pati rreth 50% më shumë vizitorë se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Turistët vijnë nga vende të ndryshme të botës për të prekur nga afër historinë, traditat e qytetit muze, pasuri e UNESCO-s. Kalaja e Gjirokastrës  shtrihet në një hapësirë prej 335 metra dhe ndodhet në kodër nga ku shihet gjithë qyteti.

Kulmin e historisë së saj e ka pasur në periudhën e Pashallëkut të Janinës, kur Ali Pashë Tepelena do të realizonte një sërë ndërtimesh të reja apo ndërhyrje të tjera, duke i dhënë Kalasë së Gjirokastrës fizionominë arkitektonike dhe ndërtimore që ka edhe sot.(Fatosi)