Ministri Gonxhja: Synojmë të përsosim markën shqiptare
2024-05-26 11:50:38

Produkte shqiptare (Foto Atsh)

Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, mori pjesë në eventin “Zgjidh të vendit”, organizuar në Tiranë nga Agjencia Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve (AIDA), që ka fokus mbështetjen e prodhimit vendas si aset i rëndësishëm për nxitjen e eksporteve dhe zhvillimin e turizimit, shkruan “ATSH”.

Ministri Gonxhja deklaroi se me shtimin e turistëve vit pas viti ka lindur dhe nevoja e garantimit të rritjes dhe diversifikimit të strukturave të hotelerisë, si dhe ofertave turistike shqiptare.

“Vëmendja jonë është drejt përsosjes së mëtejshme të një marke tashmë të konsoliduar në Europë, markës shqiptare. Turizmi, për Shqipërinë, ofron një shans të shkëlqyer që duhet të kapet në të gjithë dimensionin e tij”, deklaroi ministri Gonxhja.

“Është një mundësi transformimi jo vetëm për zonat turistike, komunitetet lokale apo strukturat akomoduese, por për të gjithë ekonominë dhe sipërmarrjen shqiptare. Ndaj nisma jonë synon të përforcojë forcën transformuese të këtij sektori, duke e vendosur atë në shërbim të zhvillimit të qëndrueshëm të prodhuesve shqiptar. Duke nxitur përfshirjen sa më të gjerë të produkteve dhe markave shqiptare në zinxhin tonë akomodues dhe duke gërshetuar më të mirën që toka dhe njerëzit ofrojnë me atë që natyra na ka falur, jemi në gjendje t’i vendosim vetes një objektiv të ri ambicioz”,- u shpreh Gonxhja.

Sipas tij, janë 250 mijë vende pune që krijohen apo mbështeten direkt apo indirekt nga turizmi. Ai theksoi se 1 në 5 shqiptarë sot punon direkt apo indirekt në sektorin e turizmit.

Ministri Gonxhja vuri në dukje se promovimi i produkteve vendase do të nxisë një efekt zinxhir, që do të rrisë mirëqënien dhe prodhimin përtej këtij sektori, duke nxitur më shumë punësim dhe më shumë të ardhura në sektorë si bujqësia, industria e lehtë, industria e komunikimit dhe teknologjisë, transporti, etj. (Irma)