Armenia i kthen Azerbajxhanit katër fshatra kufitare
2024-05-26 13:11:21

Kufiri Armeni - Azerbajxhan (Foto Rtsh)

Armenia njoftoi se i ka kthyer Azerbajxhanit katër fshatra kufitare, të cilat i kishte marrë nën kontroll dekada më parë. Ky njoftim shihet si një hap kyç drejt normalizimit të raporteve mes dy vendeve, shkruan “RTSH”.

Vendimi ka nxitur protesta në Armeni, por paraqet një lëvizje të rëndësishme drejt arritjes së një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse të paqes, pasi bisedimet e ndërmjetësuara nga shtetet perëndimore për vite të tëra nuk kanë dhënë rezultate.

Dy shtetet e Kaukazit kanë zhvilluar dy luftëra, në vitet ’90 dhe më 2020-n, për kontrollin e rajonit të shkëputur të Nagorno-Karabakut.

Vitin e kaluar, Azerbajxhani e rimori këtë rajon përmes një ofensive të shpejtë, duke i dhënë fund sundimit prej tri dekadash nga armenët etnikë dhe duke bërë që më shumë se 100.000 banorë lokalë të largoheshin për në Armeni.

Forcat e sigurisë të Armenisë njoftuan se rojet kufitare kanë zënë pozicione të reja në lindje të shtetit, duke respektuar marrëveshjen e arritur për demarkimin e kufirit, që përfshin dorëzimin e kontrollit tek autoritetet azerbajxhanase të disa fshatrave. (Irma)