Zhvillohet mbledhja e 18-të e koordinatorëve të bashkëpunimit Kinë-EQL
2024-05-26 16:37:55

Të premten, zv.ministri i Jashtëm i Kinës dhe sekretari i përgjithshëm i Sekretariatit të Bashkëpunimit ndërmjet Kinës e Vendeve të Evropës Qendrore e Lindore (EQL) Deng Li e drejtoi mbledhjen e 18-të të koordinatorëve kombëtarë të bashkëpunimit ndërmjet Kinës e vendeve të EQL-së në qytetin Ningbo të Kinës Lindore.

Deng Li u shpreh në mbledhje se, në situatën e ndërlikuar ndërkombëtare e rajonale, palët përkatëse kanë nxitur arritjen e rezultateve të pasura nga bashkëpunimi i gjithanshëm, duke treguar potencialin e gjallërinë e Bashkëpunimit Kinë-Vendet e EQL-së. Vizita e suksesshme e presidentit kinez Xi Jinping në Evropë pak kohë më parë dëshmon se Kina i kushton rëndësi të madhe zhvillimit të marrëdhënieve me vendet e EQL-së. Kina është e gatshme të punojë së bashku me këto vende dhe të forcojë besimin e ndërsjellë, duke e nxitur Bashkëpunimin Kinë-Vendet e EQL-së të jetë një platformë bashkëpunimi me respekt, besim e përfitime të përbashkëta në ndihmë të zhvillimit të marrëdhënieve dypalëshe dhe të marrëdhënieve Kinë-Evropë.

Përfaqësuesit pjesëmarrës nga vende të ndryshme vlerësuan rolin aktiv të Bashkëpunimit Kinë- Vendet e EQL-së për nxitjen e marrëdhënieve dypalëshe e të bashkëpunimit Kinë-Evropë dhe bënë thirrje për forcimin e shkëmbimeve, duke nxitur kryesisht bashkëpunimin në fushat ekonomike-tregtare, njerëzore, të investimeve, të ndërlidhjes, të karantinës, të sektorëve të gjelbër, të energjetikës etj.

Gjatë mbledhjes u zhvilluan njëkohësisht veprimtari për Javën e Shkëmbimeve Kinë-Vendet e EQL-së, duke përfshirë konferencën e Dhomës së Përbashkët të Tregtisë Kinë-Vendet e EQL-së, shitjen e mallrave të EQL-së, konferencën e Federatës së Shkollave të Larta, konferencën e bashkëpunimit për botimet, tryezën e rrumbullakët të gazetarëve, koncerte etj. (Fani)