Kryebashkiaku Veliaj: Mundësi për investime në inovacion me rajonet italiane
2024-05-26 12:36:13

Kryebashkiaku Veliaj (Foto Atsh)

Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, priti në një takim presidentin e rajonit italian Friuli-Venezia-Giulia, Massimiliano Fedriga, dhe ekipin drejtues që e shoqëronte në vizitën e tij në kryeqytetin shqiptar.

Fedriga vlerësoi punën e bërë për transformimin e Tiranës, duke e konsideruar atë si një partner strategjik në bashkëpunimin mes dy vendeve. Ai nënvizoi faktin se forcimi i këtij bashkëpunimi, si dhe shfrytëzimi i mundësive për investime, do të jetë një shtysë e rëndësishme drejt një të ardhmeje të përbashkët europiane, shkruan “ATSH”.

“Shqipëria, dhe veçanërisht Tirana, përfaqësojnë një partner strategjik dhe thelbësor për mundësitë reciproke që mundemi të ndërtojmë së bashku. Sipërmarrjet italiane do të munden të gjejnë mundësi të mëdha për të investuar në sektorin e inovacionit këtu, sepse mund të jenë me interes jo vetëm për Shqipërinë, por për të gjithë hapësirën e Ballkanit, ku Shqipëria është pikë referimi me kryeqytetin e saj, Tiranën. Trieste, qendra e Friuli-Venezia-Giulia-s, ka një marrëdhënie të veçantë me Mesdheun, sikurse në rastin e “Kryeqytetit Europian të Kulturës”, Gorica dhe Nova Gorica, dhe të “Kryeqytetit Mesdhetar të Kulturës dhe Dialogut”, Tiranës. Pasuar nga marrëveshjet e lidhura me Shqipërinë, besoj se në Tiranë, e cila është transformuar në një qytet europian, mund të gjenden mundësi të rëndësishme për të ndërtuar së bashku një të ardhme europiane”, theksoi ai.

Kryebashkiaku Veliaj vlerësoi mikpritjen dhe raportin special që ekziston me Italinë, duke përmendur disa nga arritjet dhe bashkëpunimet mes dy vendeve, që konsiderohen tashmë si histori suksesi. Ai e vuri theksin te nevoja e rritjes së këtij bashkëpunimi në të ardhmen, përmes nxitjes së sipërmarrjeve e projekteve në fusha të ndryshme.

“Duam të bëjmë më shumë. Kemi disa ambicie të përbashkëta, ambicie digjitale, për të shkuar në punët e gjeneratës së re, me qendrat kërkimore që ju keni, me Piramidën, me Zonën e Lirë Ekonomike që kemi, por edhe në nivel bashkish. Ajo që mund të bëjmë me Triesten, po t’i referohemi historisë, kemi bërë shumë në të kaluarën, duhet të bëjmë shumë edhe në të ardhmen. Sipërmarrja e rajonit tuaj, do të ishte ideale për të qenë në zonën tonë të lirë ekonomike, ose për të parë disa nga punët e qytetit që ne mund t’i bëjmë në një bashkëpunim”,- deklaroi Veliaj. (Irma)