SHBA-ja njoftoi për një paketë të re ndihme ushtarake për Ukrainën
2024-05-26 12:46:46

Kryediplomati amerikan (Foto Panorama)

Shtetet e Bashkuara të Amerikës njoftuan për një paketë të re ndihme ushtarake për Ukrainën, në të cilën përfshihen municione, raketa, mina dhe municione të artilerisë, shkruan “Panorama”.

“SHBA-ja njofton për një paketë të re me armë dhe pajisje për Ukrainën për të mbështetur popullin ukrainas, teksa ata mbrojnë shtetin e tyre. Kjo paketë, në vlerë prej 275 milionë dollarësh, është pjesë e përpjekjes sonë për të ndihmuar Ukrainën. Ajo ërmban aftësitë urgjente që i duhen vendit”,- deklaroi sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken.

Muajin e kaluar, ligjvënësit amerikanë miratuan paketën e ndihmës për Ukrainën në vlerë prej 61 miliardë dollarësh, pasi për disa muaj paketa kishte mbetur e bllokuar në Kongres.

Ukraina po përballet me luftime të ashpra në Kharkiv që nga 10 maji, kur mijëra trupa ruse nisën ofensivën, duke bërë avancimet më të mëdha në 18 muaj.

Forcat ukrainase kanë pësuar disfata në fushëbetejë për shkak të mungesës së municioneve.

Që atëherë, presidenti amerikan, Joe Biden, ka urdhëruar dërgimin edhe të pesë paketave të ndihmës ushtarake për Ukrainën. (Irma)