OBSH: Pandemia Covid-19 shkurtoi jetëgjatësinë në botë
2024-05-26 12:33:58

Foto nga CFP

Foto nga CFP

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) bëri të ditur se pandemia Covid-19 shkurtoi jetëgjatësinë në botë me gati dy vjet, kur u përhap nga viti 2019 deri më 2021-shin, duke zhbërë një dekadë përparim, raporton “Panorama”.

“Pandemia Covid-19 përmbysi trendin e rritjes së qëndrueshme të jetëgjatësisë dhe jetëgjatësisë së shëndetshme në lindje”,- njoftoi agjencia e Kombeve të Bashkuara.

Jetëgjatësia globale ra në 1.8 vjet, përkatësisht në 71.4 vjet apo në nivelin e njëjtë sa ishte më 2012-n, u bë e ditur në studimin e kryer nga OBSH-ja.

Periudha kohore që mesatarisht një person mund të presë që të jetojë me shëndet të mirë ra në 1.5 vjet apo në 61.9 vjet më 2021-shin, niveli i njëjtë sa ishte më vitin 2012.

Ndikimi i pandemisë te jetëgjatësia është edhe më i keq sesa gjetjet e një studimi të publikuar nga revista shkencore “Lancet” në janar, sipas të cilit jetëgjatësia gjatë pandemisë ra me 1.6 vjet.

Hulumtuesit e atij studimi deklaruan se Covid-19 kishte më shumë ndikim në jetëgjatësi sesa çdo ngjarje tjetër gjatë gjysmëshekullit të kaluar.

Drejtori i përgjithshëm i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus, tha se shifrat vënë në pah rëndësinë e një marrëveshjeje për sigurinë botërore gjatë pandemive, për të cilën po zhvillohen negociata në Gjenevë.

Sipas tij, një marrëveshje e tillë do të forconte sigurinë botërore shëndetësore, por do të mbronte edhe investimet afatgjata në shëndetësi dhe do të promovonte barazinë në mesin e shteteve. (Irma)