GJND-ja urdhëron Izraelin të ndalë sulmin ushtarak në Rafah
2024-05-26 12:31:25

Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë (Foto Rtsh)

Gjykata e lartë e OKB-së urdhëroi Izraelin të ndalë menjëherë sulmin e tij ushtarak në qytetin jugor të Gazës, Rafah, duke bërë të ditur se situata humanitare në territorin palestinez është katastrofike, shkruan “ATSH”.

Vendimi i lexuar nga gjyqtari Nawaf Salam në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë ishte në përgjigje të një kërkese urgjente të paraqitur nga Afrika e Jugut.

Afrika e Jugut e justifikoi kërkesën e saj në GJND duke argumentuar se masat e mëparshme të gjykatës në lidhje me luftën në Gaza ishin të papërshtatshme.

Ndërsa vendimet e gjykatës janë të detyrueshme, ajo nuk ka asnjë mjet për të detyruar pajtueshmërinë. Megjithatë, ajo mund t’i kërkojë Këshillit të Sigurimit të OKB-së të veprojë. (Irma)