Kryediplomati europian Borrell: Vendet europiane duhet të respektojnë vendimin e GJNP-së për Izraelin
2024-05-26 11:35:59

Foto nga CFP

Foto nga CFP

Shefi për Politikë të Jashtme dhe Siguri në Bashkimin Europian, Josep Borrell, deklaroi se disa vende europiane po përpiqen të frikësojnë gjyqtarët e Gjykatës Ndërkombëtare Penale (GJND), për shkak të rastit kundër liderëve të Izraelit.

Ai u bëri thirrje atyre mos të ndërhyjnë dhe ta respektojnë gjykatën, shkruan “Panorama”.

Kryeprokurori i GJNP-së, Karim Khan, njoftoi të hënën se ka bërë kërkesë për lëshimin e fletarrestimeve kundër kryeministrit të Izraelit, Benjamin Netanyahu, dhe ministrit izraelit të Mbrojtjes, Yoav Gallant, si dhe kundër tre liderëve të Hamasit.

“Prokurori nuk ka bërë asgjë më shumë se një akuzë dhe për këtë do të vendosë gjykata. U bëj thirrje të gjithëve, duke nisur nga qeveria e Izraelit dhe disa qeveri europiane, mos t’i frikësojnë gjyqtarët”,- deklaroi Borrell në një intervistë televizive.

Khan beson se Netanyahu, Gallant, dhe tre liderë të Hamasit - Yehia Sinëar, Mohammed Deif dhe Ismail Haniyeh - janë përgjegjës për krime lufte dhe për krime kundër njerëzimit në Rripin e Gazës dhe në Izrael, së paku nga 7 tetori 2023.

Si Izraeli, ashtu edhe Hamasi, e kanë dënuar kërkesën e Khanit për fletarrestime kundër liderëve të tyre.

Izraeli e mohon se po kryen krime lufte në Gazë dhe pretendon se GJNP-ja nuk ka juridiksion atje.

Disa vende e kanë dënuar vendimin e prokurorit të GJNP-së për të kërkuar fletarrestime për liderët e Izraelit.

Izraeli e nisi luftën në Gazë si përgjigje ndaj një sulmi të Hamasit në jug të Izraelit më 7 tetor, ku u vranë 1200 njerëz, kryesisht civilë dhe u rrëmbyen rreth 250 të tjerë.

Sipas të dhënave nga Ministria e Shëndetësisë në Gaza, deri tani janë vrarë mbi 35.000 palestinezë, gjysma e të cilëve fëmijë dhe gra.

Por, lufta izraelite ka shkaktuar edhe krizë humanitare në Gaza, duke bërë që rreth 80 për qind e popullsisë të zhvendoset dhe qindra mijëra njerëz të vuajnë nga uria, sipas zyrtarëve të OKB-së. (Irma)