Ministri Balla: Monitorimi i akseve rrugore pritet të bëhet edhe me inteligjencë artificiale
2024-05-26 10:56:00

Ministri Balla - Smart city (Foto Rtsh)

Vitin e ardhshëm parashikohet që akset rrugore të monitorohen me inteligjencë artificiale përmes projektit “Smart city”, deklaroi ministri i Brendshëm, Taulant Balla, ndërsa mori pjesë në eventin “Rrugë të sigurta, turizëm i sigurt”, shkruan “ATSH”.

Ministri Balla theksoi se projekti vjen si bashkëpunim i qeverisë shqiptare dhe Emirateve të Bashkuara Arabe.

“Ka nevojë për një ndërgjegjësim më të madh të drejtuesve të mjeteve. Shoferët duhet ta dinë që monitohen në shumë drejtime. Për momentin nuk jemi, por falë mbështetjes dhe bujarisë të qeverisë së Emirateve të Bashkuara Arabe, në të gjitha qytetet kryesore të Shqipërisë, shpresoj që vitin e ardhshëm, siguria publike, mbrojtja e jetës dhe pronës private, dhe monitorimi i trafikut edhe në zonat turistike do të bëhet përmes një sistemi gjithëpërfshirës zgjedhjesh teknologjike, inteligjencë artificiale, të cilat na mundësojnë kalimin në një nivel tjetër të sigurisë publike”,- deklaroi ministri Balla. (Irma)