Banka Botërore me projekt për qëndrueshmërinë klimatike dhe zhvillimin e bujqësisë në Shqipëri
2024-05-25 12:41:44

Ministrja Denaj (Foto Atsh)

Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj, e pranishme në ceremoninë e nisjes së zbatimit të projektit të Bankës Botërore për qëndrueshmërinë klimaterike dhe zhvillimin e agrokulturës, në Divjakë, bëri të ditur se projekti vjen si një përgjigje të sfidave që ka sot bujqësia shqiptare, shkruan “ATSH”.

Ministrja Denaj shprehu bindjen se me mbështetjen e BB-së do të tejkalohen këto sfida dhe do të ecet drejt një të ardhme të afërt shumë më të qëndrueshme edhe ndaj problemeve që gjithë bota përballet, ajo e ndryshimeve klimaterike.

Sipas ministres, sot nuk janë problem tregjet, por sigurimi i produkteve bujqësore cilësore për të qenë konkurrues në tregje.

Projekti, vuri në dukje ministrja, do të përfshijë teknologji të avancuara dhe praktika inovative që do të ndihmojnë në administrimin e tokave bujqësore nëpërmjet ujitjes dhe kullimit, sikurse sisteme të reja të monitorimit dhe kontrollit për cilësinë e tokës, nevojën për ujitje dhe përdorimin e produkteve plehëruese që do të lejojnë një reagim shumë të shpejtë ndaj kërkesave të bimës.

Sipas saj, çdo hap që hidhet drejt modernizimit të bujqësisë është një hap drejt një të ardhme më të sigurt, më të qendrueshme për fermerët dhe për konsumatorët shqiptar.

Drejtori rajonal për Zhvillimin e Qëndrueshëm në Bankën Botërore, Sameh Naguib Ëahba, deklaroi se sektori i bujqësisë është jashtëzakonisht shumë i rëndësishëm në Shqipëri, pasi përbën gati 19% të PBB-së dhe punëson rreth 36% të fuqisë punëtore.

Sipas tij, programi do të ndihmojë sektorin agroushqimor dhe gjithashtu do të zbusë problematikat që lidhen me rritjen e çmimit të energjisë dhe rritjen e sfidave të tjera në kuadër të ndryshimeve klimatike.

Programi do të mbështesë ndër të tjera modernizimin e ujitje-kullimit, modernizimin i tregjeve, krijimin e zinxhirëve të shkurtër të vlerës që të arrihet nga tregu në tavolinë sa më shpejt modernizimi dhe përmirësimi i monitorimit dhe një sërë elementësh të tjerë. Gjithashtu programi do të mbështesë edhe forcimin institucional dhe kapacitetet insitiucionale dhe do të ndihmojë Shqipërinë në rrugëtimin drejt integrimit europian, sidomos për sa i përket kapitujve 11 dhe 12. (Irma)