Raporti i BSH-së: Rreth 60% e pronave të shitura në korrik-dhjetor 2023 janë blerë me kredi
2024-05-25 12:01:30

Tirana (Foto Albaniantours)

Banka e Shqipërisë publikoi Vrojtimin mbi Stabilitetin Financiar për Pasuritë e Paluajtshme, sipas të cilit, numri total i pronave të shitura ishte 1169 dhe ky numër ishte pothuajse i njëjtë me atë të gjashtëmujorit të parë të vitit 2023.

Sipas raportit, cituar nga “ATSH”, rreth 60% e totalit të pronave për banim dhe e atyre për përdorim tregtar të shitura prej agjentëve në 6-mujorin e dytë të vitit 2023, janë blerë me hua bankare. Nga këto, në 60% të rasteve, kredia ka mbuluar deri në 60% të vlerës.

Numri mesatar i pronave të shitura për subjekt mbeti i pandryshuar, në 7.

Sipas të dhënave, koha mesatare e shitjes së banesave në shkallë vendi është rritur lehtë në mesatarisht 10.9 muaj.

Referuar vrojtimit, agjentët raportojnë rritje të kërkesës për qiramarrje, si për banesa, ashtu edhe për prona tregtare. Po ashtu, çmimet e qirasë kanë shënuar rritje. Aktiviteti i dhënies dhe marrjes së pronave me qira është i përqendruar në rajonin e kryeqytetit dhe veçanërisht në zonën e qendrës.

Për gjashtëmujorin e ardhshëm, agjentët presin rritje të çmimeve dhe rritje të numrit të pronave të regjistruara për shitje.

Agjentët janë optimistë për ecurinë e tregut të pasurive të paluajtshme në territorin ku ata veprojnë, për të ardhmen afatshkurtër dhe afatgjatë (deri në dy vjet). Po ashtu, ata shprehen optimistë për të ardhmen e këtij tregu në të gjithë territorin e vendit, citon vrojtimi i BSH-së. (Irma)