BE heton dështimin e Italisë për të frenuar plastikën njëpërdorimshe
2024-05-25 11:46:33

Plastika (Foto Ansa)

Komisioni Europian njoftoi se po merr masa ligjore kundër Italisë për dështimin në zbatimin e direktivave që synojnë frenimin e përdorimit të plastikës njëpërdorimshe.

Italia ishte një mbështetëse e hershme e përpjekjeve të Europës për të ulur ndotjen nga plastika njëpërdorimshe, por vitet e fundit ajo ka kundërshtuar evoluimin e rregullave, shkruan “Xinhua”.

Në vitin 2021, Italia ishte subjekt i një hetimi të Bashkimit Europian (BE) që zbuloi se rregullat e brendshme të vendit për plastikën nuk ishin në përputhje me ato të BE-së. Çështja doli sërish në pah vitin e kaluar, me Italinë dhe Finlandën që kërcënuan të zbusin rregullat e BE-së për ambalazhet plastike.

Në dhjetor, Italia ishte i vetmi vend midis 27 vendeve anëtare të BE-së që votoi kundër mandatit të negociatave që rregullon paketimin plastik. Masa u miratua pavarësisht kundërshtimit të Italisë.

KE-ja bëri të ditur se Italia nuk i ka miratuar plotësisht dhe saktë rregullat për plastikën me një përdorim.

Italia ka dy muaj për të korrigjuar problemet. Nëse vendi dështon ta bëjë këtë, ai mund të penalizohet. (Irma)