Presidenti francez: Parisi do të jetë qyteti i inteligjencës artificiale
2024-05-24 11:20:34

Foto nga VCG

Presidenti francez Emmanuel Macron, në një mbledhje të elitës së teknologjisë, politikanëve dhe komisionerëve të BE-së, deklaroi se Parisi do të bëhet qyteti i inteligjencës artificiale.

Sipas tij, ky është një moment zgjimi strategjik, citon “RTSH”.

Presidenti francez njoftoi një investim të ri në inteligjencën artificiale dhe ekosistemin kuantik, si dhe programe trajnimi për të ndërtuar talentin e teknologjisë. 

Presidenti Macron deklaroi në panairin e teknologjisë “VivaTech”, në Paris, se duhet shkruar një hap më tej, sepse për Francën dhe Europën, beteja për inteligjencën artificiale është një betejë ekzistenciale, nga e cila do të varet aftësia për të krijuar pasuri.

“Beteja e inteligjencës artificiale duhet të luftohet rreth pesë fushave kryesore: talenti, infrastruktura, përdorimet, investimet dhe qeverisja”,- tha presidenti francez, i cili njoftoi masa të tjera për të zgjeruar njohuritë e qytetarëve për teknologjinë.

“Është një moment zgjimi strategjik që ne po jetojmë, i cili presupozon zgjedhje të thella për sa i përket kërkimit, trajnimit dhe investimit. Qëllimi ynë është ta evropianizojmë inteligjencën artificiale dhe ne do ta fillojmë me një iniciativë franko-gjermane”,- bëri të ditur presidenti Macron.  (Irma)