Ministrja Ibrahimaj takim me “Straife”, mbi sfidat e biznesit shqiptar e rajonal
2024-05-24 14:12:58

Foto nga ATSh

Ministrja e Shtetit për Sipërmarrjen dhe Klimën e Biznesit, Delina Ibrahimaj, zhvilloi një takim me përfaqësues nga kompania amerikane dhe zyra rajonale në Ballkan, “Straife”, ku u diskutua mbi thellimin e bashkëpunimit ekonomik mes Shqipërisë dhe SHBA-së dhe rritjen e mëtejshme të investimeve amerikane në Shqipëri, shkruan “ATSH”.

Gjatë takimit u diskutua edhe për sfidat e biznesit shqiptar dhe rajonal në procesin e integrimit në Bashkimin Europian.

Ministrja Ibrahimaj vlerësoi bashkëpunimin me partnerë ndërkombëtarë që ofrojnë nivele të larta të ekspertizës dhe konsulencës, duke kontribuar në përmirësimin e klimës së biznesit në Shqipëri.

Investimet amerikane në Shqipëri kanë shënuar rritje me 17.5% gjatë vitit 2023. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, investitori i pestë më i madh deri tani në vend, për vitin 2023, është SHBA-ja, me një fluks investimesh mbi 47 milionë eurosh.

Investimet amerikane janë të përqendruara kryesisht në sektorë të rëndësishëm të ekonomisë shqiptare, si energjetikë, gazi të lëngshëm natyror, sistem financiar etj. (Irma)