Studimi: Europa duhet të dyfishojë investimet në rrjetet e energjisë deri në vitin 2050
2024-05-24 16:42:16

Energjia ne BE (Foto Yahoo)

Energjia ne BE (Foto Yahoo)

Vendet europiane duhet të dyfishojnë investimet e tyre në rrjetet e shpërndarjes së energjisë deri në vitin 2050 ose rrezikojnë të mungojnë objektivat e emetimeve të përcaktuara nga Marrëveshja e Gjelbër Europiane, thuhet në një studijm të publikuar nga Federata e Industrisë Europiane të Energjisë Elektrike, “Eurelectric”, citon “Xinhua”.

Sipas studimit, investimet në rrjetin e shpërndarjes duhet të rriten nga një mesatare prej 33 miliardë euro (35.78 miliardë dollarë amerikanë) në 67 miliardë euro në vit nga viti 2025 në 2050-n. Kjo shumë është afërsisht 20 për qind e asaj që BE-ja shpenzoi për importet e karburanteve fosile në vitin 2023.

“Eurelectric” përfaqëson më shumë se 3500 shoqëri europiane aktive në prodhimin, shpërndarjen dhe furnizimin me energji elektrike në të gjithë kontinentin.

Studimi thekson se rrjetet e shpërndarjes europiane duhet të modernizohen për të mundësuar elektrifikimin e transportit, ngrohjes dhe industrisë dhe për të integruar burimet e rinovueshme.

Sipas studimit, duke rritur investimet në rrjete, europianët do të reduktojnë ndjeshëm importet e karburanteve fosile, do të krijojnë miliona vende pune, do të kursejnë energji dhe do të përshpejtojnë dekarbonizimin e ekonomisë së Evropës.  (Irma)