Sllovenia zgjat kontrollet kufitare
2024-05-24 16:40:47

Kontrollet ne kufirin slloven (Foto Dailynewshungary)

Kontrollet ne kufirin slloven (Foto Dailynewshungary)

Sllovenia do të zgjasë kontrollet në kufijtë e saj me Hungarinë dhe Kroacinë për gjashtë muaj të tjerë, për shkak të përkeqësimit të kushteve të sigurisë në Lindjen e Mesme, njoftoi Ministria e Brendshme, citon “Xinhua”.

“Kontrolli do të përqendrohet në parandalimin e terrorizmit, ekstremizmit dhe krimit ndërkufitar”,- thuhet në një deklaratë me shkrim nga ministri i Brendshëm, Bostjan Poklukar.

Sllovenia, Kroacia dhe Hungaria janë të gjitha vende të zonave Shengen të Bashkimit Europian (BE) që nuk zbatojnë kontrolle kufitare.

Sllovenia futi kontrolle të përkohshme në kufijtë me Kroacinë dhe Hungarinë në tetor pas fillimit të konfliktit në Izrael, duke përmendur arsye sigurie.

Që nga 21 tetori, kur u vendosën kontrollet, policia sllovene regjistroi rreth 26.400 kalime të paligjshme kufitare, sipas ministrisë, duke shtuar se këto shifra tregojnë se kontrollet kufitare janë efikase.

Vendimi i Sllovenisë për të zgjatur kontrollet kufitare deri në dhjetor vjen një ditë pasi Italia informoi Slloveninë se planifikon të zgjasë kontrollet e saj në kufirin mes dy vendeve për arsye sigurie.

Italia është gjithashtu anëtare e zonës Shengen të BE-së.

Gjatë një aktiviteti për të shënuar 20-vjetorin e anëtarësimit të Sllovenisë në BE në prill, presidentja sllovene Natasa Pirc Musar i bëri thirrje vendit dhe shteteve fqinje të hapin kufijtë e tyre për të mbrojtur lirinë e lëvizjes. (Irma)