Presidentja sllovene vizitë zyrtare në Tiranë: Mbështesim integrimin e Shqipërisë në BE
2024-05-24 16:44:45

Presidenti shqiptar dhe homologia sllovene (Foto Atsh)

Presidenti shqiptar dhe homologia sllovene (Foto Atsh)

Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, priti me ceremoni zyrtare homologen sllovene, Nataša Pirc Musar, e cila viziton vendin me ftesë të kreut të shtetit.

Gjatë një konference të përbashkët shtypi, presidenti Begaj vlerësoi mbështetjen e Sllovenisë për procesin e zgjerimit europian të Ballkanit dhe integrimin të Shqipërisë në BE, shkruan “ATSH”.

“Roli juaj në kuadër të “Miqve të Ballkanit Perëndimor” është një prej dëshmive të shumta. Zgjerimi 2030, që doli si produkt i forumit strategjik të BLED-it, është prova konkrete e mbështetjes sllovene. Ne jemi të gatshëm të bashkëpunojmë fort të bëjmë realitet këtë plan. Shqipëria është një zë i fuqishëm i integrimit Euroatlantik të rajonit. Si një popull historikisht paqedashës, ne jemi të interesuar për një rajon në paqe, të zhvilluar, me sytë nga Evropa dhe të integruar në vetvete”,- deklaroi presidenti Begaj.

Kreu i shtetit ftoi sipërmarrësit sllovenë të vijnë në Shqipëri dhe të investojnë në sektorët e turizmit, financës, bujqësisë, teknologjisë së informacionit, energjisë dhe shumë të tjera.

Presidentja Nataša Pirc Musar deklaroi se Sllovenia mbështet integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian dhe, sipas saj, zgjedhjet europiane me siguri do të jenë tregues i rëndësishëm i drejtimit se ku do të shkojë Europa.

“Në dy vitet e para të detyrës sime fokusi ka qenë në Ballkanin Perëndimor. Shkaku është i thjeshtë se Sllovenia beson se vendi i shteteve të Ballkanit Perëndimor është në Bashkimin Europian. Jam shumë e kënaqur me fjalët e Charles Michel në Bled vitin e kaluar se BE do të duhet të pranojë deri në vitin 2030 shtetet e këtij rajoni. Për Shqipërinë kjo nuk është e pamundur, kur lexoj rezultatet e vendit tuaj jam shumë e kënaqur”,- nënvizoi Musar.

Presidentja sllovene e vuri theksin te marrëdhëniet ekonomike mes dy vendeve dhe vlerësoi luftën kundër korrupsionit dhe punën e SPAK-ut. (Irma)