Ministrja Manastirliu: Po bëjmë maksimumin për përfshirjen e teknologjisë në arsim
2024-05-24 16:45:42

Ministrja e Arsimit Ogerta Manastirliu (Foto Atsh)

Ministrja e Arsimit Ogerta Manastirliu (Foto Atsh)

Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu, mori pjesë në Forumin Botëror të Edukimit, i zhvilluar në Londër, bashkë me 100 ministra të Arsimit nga e gjithë bota, ku u ndanë eksperiencat e tyre dhe u diskutua për të ardhmen e politikave arsimore globale, shkruan “ATSH”.

Ministrja Manastirliu foli për përvojën shqiptare të reformave të ndërmarra për përmirësimin e sistemit arsimor. Ajo e vuri theksin te Programi Kombëtar i Zhvillimit Profesional të Mësuesve, përmes të cilit trajnohen mësuesit e shkencave, matematikës, të teknologjisë dhe informacionit.

Po ashtu, ministrja Manastirliu theksoi punën që ka nisur për modernizimin e kornizës kurrikulare për ta përfshirë teknologjinë e informacionit si pjesë të gjithë lëndëve, por nga ana tjetër edhe për çfarë Shqipëria po bën në kuadër të zgjerimit të SmartLab-eve me programin e kodimit që në klasë të parë.

Pjesëmarrja e ministres së Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu në këtë forum të rëndësishëm ndërkombëtar nënvizon angazhimin e Shqipërisë për të ndjekur praktikat më të mira globale dhe për të avancuar në fushën e arsimit përmes inovacionit dhe teknologjisë.

“Përpjekjet për ta përfshirë teknologjinë, inovacionin dhe inteligjencën artificiale, të gjitha vendet po e shohin si pjesë të kurrikulave në tërësi të sistemeve arsimore qoftë në programet e trajnimit të mësuesve por edhe në programet e të mësuarit, të arsimit parauniversitar por nga ana tjetër dhe atij universitar dhe nëpërmjet investimeve të vazhdueshme në infrastrukturën digjitale dhe gjithashtu internetit të shpejtësisë së lartë që është një prej rekuizitave për të arritur maksimumin edhe për sa i përket përfshirjes të teknologjisë në sistemet arsimore”,- tha Manastirliu. (Irma)