Rama: Britania përfshihet në projektin e hekurudhës Durrës-Prishtinë
2024-05-23 10:28:58

Foto nga RTSH

Emigracioni i paligjshëm, përfshirja e Britanisë në projektin për hekurudhën Durrës-Prishtinë dhe ecuria e bashkëpunimit në rajon, ishin disa prej pikave kyçe të diskutuara në takimin mes kryeministrit Edi Rama dhe sekretarit të Jashtëm të Britanisë së Madhe, David Cameron, në Tiranë.

Në konferencën e përbashkët për shtyp, kreu i qeverisë u shpreh se Britania synon të jetë më e pranishme në rajon dhe në këtë kuadër do të përfshihet në projektin strategjik të hekurudhës Durrës-Prishtinë, citon “RTSH”.

Po ashtu, Rama deklaroi se së shpejti hapet gara ndërkombëtare për portin e ri tregtar të Durrësit, ndërsa shtoi se po presin përgjigjen përfundimtare të NATO-s për krahun ushtarak të portit të Durrësit.

“Kemi diskutuar për marrëdhëniet tona dypalëshe dhe për thellimin e mëtejshëm të tyre; kemi folur qoftë në aspektin e marrëdhënieve si dy vende aleate në NATO, qoftë edhe në aspektin e marrëdhënieve dypalëshe në kushtet kur Britania synon të jetë më e pranishme në rajonin tonë.

Dëshiroj të theksoj se kemi folur për përfshirjen e Britanisë në një projekt strategjik me rëndësi të veçantë për rajonin, që është hekurudha Durrës-Prishtinë, që është një element kyç i projektit të rritjes së kapaciteteve të lëvizjes, jo vetëm mes dy vendeve, por në rajon dhe më gjerë”,- u shpreh Rama.

Më tej, kreu i qeverisë shqiptare u ndal edhe tek emigracioni i paligjshëm, për të cilin bëri të ditur se do të thellohet bashkëpunimi me Britaninë për t’i shkuar në rrënjë këtij fenomeni.

Normalizimi i marrëdhënieve rajonale dhe procesi i dialogut mes Kosovës e Serbisë ka qenë një tjetër temë diskutimi mes dyshes Rama-Cameron. (Elona)