Cameron: Shqipëria ka bërë përparime mbresëlënëse
2024-05-23 10:30:32

Foto nga RTSH

Britania e Madhe kërkon të jetë më e pranishme në rajonin e Ballkanit përmes investimeve dhe partneriteteve më të forta. Ky ishte mesazhi që sekretari britanik i Shtetit për Çështjet e Jashtme, David Cameron, dha në vizitën e tij të parë në Tiranë.

Cameron vlerësoi të gjitha zhvillimet që ka bërë Shqipëria në reformat me rëndësi për shtetin e së drejtës, për zhvillimin ekonomik, rritjen dhe forcimin e partneriteteve për siguri në NATO si dhe zhvillimin turistik që po përjeton vendi, bën të ditur “RTSH”. Të gjitha këto, për Cameron, do të krijojnë kushte të përshtatshme për qytetarët që të mos i drejtohen emigrimit të paligjshëm.

“Një nga arsyet që doja të vija është që të festonim suksesin tuaj, pasi Shqipëria është me të vërtetë një histori suksesi në aspektin ekonomik dhe keni bërë një punë të shkëlqyer në Këshillin e Sigurimit. Keni dhënë një drejtim kaq të qartë se ku dëshironi të arrijë dhe ku duhet të jetë Shqipëria në sferën e NATO-s dhe BE-së. Britania do të jetë një nga partneret më të frytshme”,- tha Cameron.

“Kur Ballkani Perëndimor është keq, edhe Europa është keq”,- tha Cameron, i cili është një nga mbështetësit kryesor të integrimit të rajonit në BE.

Lidhur me partneritetin për emigrantët e paligjshëm, Cameron e vlerësoi tepër të rëndësishëm dhe me rezultate pozitive.  (Elona)