Kryeministri i Singaporit kërkon hetim të plotë pas turbulencave në avionin nga Londra
2024-05-23 17:53:25

Avioni Singapor (Foto RTSH)

Avioni Singapor (Foto RTSH)

Kryeministri i Singaporit, Lawrence Wong, ka kërkuar hetim të plotë mbi turbulencat në avionin që udhëtonte nga Londra drejt vendit, ngjarje e cila shkaktoi vdekjen e një personi dhe plagosjen e dhjetëra të tjerëve.

Duke konfirmuar se 131 pasagjerë dhe 12 anëtarë të ekuipazhit kishin zbritur të sigurt në Singapor me një avion tjetër, ai shprehu ngushëllimet e tij për familjen e 73-vjeçarit, Geoffrey Kitchen, i cili humbi jetën nga ataku në zemër gjatë turbulencave, shkruan “RTSH”.

Po ashtu, ai theksoi se shpreson dhe lutet që të lënduarit të shërohen dhe të kthehen në shtëpi së shpejti.

Fluturimi SQ321 i “Singapore Airlines” pati turbulenca të papritura ekstreme mbi Myanmar në udhëtimin e tij të martën. Avioni, me 211 pasagjerë dhe 18 anëtarë të ekuipazhit, bëri një ulje emergjente në aeroportin “Suvarnabhumi” të Bangkokut.

Aeroporti në kryeqytetin tajlandez njoftoi se 83 pasagjerë dhe anëtarë të ekuipazhit u lënduan.

Nga pasagjerët, 56 ishin australianë, 47 britanikë dhe 41 singaporianë. (Elona)