Presidenca e BE-së po punon për nisjen sa më shpejt të bisedimeve të pranimit të Ukrainës dhe Moldavisë
2024-05-23 14:29:58

Foto nga VCG

Presidenca belge e Këshillit të BE-së, pas një takimi ministror në Bruksel, njoftoi se po punon për organizimin e konferencës së parë të delegacioneve negociuese deri në fund të qershorit, për nisjen sa më shpejt të negociatave të pranimit në BE për Ukrainën dhe Moldavinë, shkruan “ATSH”.

“Ne po bëjmë çmos për të arritur një marrëveshje që do të na mundësojë të kalojmë në fazën tjetër. Është e mundur që negociatat të fillojnë brenda 40 ditëve të ardhshme”,- deklaroi ministrja e Jashtme belge, Hadja Lahbib.

Hungaria do të marrë presidencën e radhës të Këshillit të BE-së nga Belgjika në korrik.

Përpara se të fillojnë bisedimet e pranimit, shtetet e BE-së duhet të miratojnë unanimisht të ashtuquajturat korniza negociuese. Këto përcaktojnë udhëzimet dhe parimet për bisedimet e anëtarësimit me çdo vend kandidat.

Fillimi i negociatave me Ukrainën dhe me fqinjin e saj, Moldavinë, ishte rënë dakord në parim gjatë një samiti të BE-së në dhjetor. Në të njëjtën kohë, u ra dakord që të gjitha kërkesat për reformat duhet të përmbushen përpara se të fillojnë negociatat.

Sipas raportit të fundit të KE-së, disa reforma në luftën kundër korrupsionit, mbrojtjen e pakicave dhe ndikimin e oligarkëve nuk ishin zbatuar plotësisht në Ukrainë.

Hapja e negociatave të pranimit në BE shihet si një simbol i rëndësishëm për popullin e Ukrainës dhe Moldavisë, megjithëse procesi i anëtarësimit ndonjëherë mund të zgjasë për dekada. (Elona)