Platforma “etransport”, një mundësi e re informacioni për Shqipërinë turistike
2024-05-23 16:30:57

etransport (Foto ATSH)

etransport (Foto ATSH)

Në prag të sezonit veror turistik, Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit (DPSHTRR) ka vënë në dispozicion të udhëtarëve platformën “etransport”, përmes së cilës ata mund të orientohen për të lëvizur më shpejt nëpër të gjithë vendin.

Udhëtarët mund të shkarkojnë aplikacionin në telefonat e tyre dhe të marrin informacion për transportin rrugor ndërqytetas drejt destinacioneve të tyre, shkruan “ATSH”.

Ata po ashtu mund të marrin informacion orientues në porte, aeroport dhe pikat kryesore të mbërritjes së qytetarëve dhe turistëve.

Lajmi u bë i ditur nga kreu i DPSHTRR-së, Ilir Mëngra, i cili theksoi se kjo është një eksperiencë e re orientimi mbi rrjetin e linjave ndërqytetase.

“Transporti ndërqytetës është tani më i lehtë se kurrë. Sjellim një eksperiencë të re orientimi mbi rrjetin e linjave ndërqytetëse, duke u përgatitur për të implementuar bileta elektronike. Inkurajojmë transportin publik si një alternativë të shkëlqyer për turizmin dhe lëvizjen nëpër Shqipëri. Ju ofrojmë informacion orientues në porte, aeroport dhe pikat kryesore të mbërritjes së qytetarëve dhe turistëve”,- bëri të ditur Mëngra. (Elona)