Kreu i SPAK-ut: Investimet në prona të luajtshme e të paluajtshme, mënyra kryesore për pastrimin e parave
2024-05-23 11:54:06

Foto nga ATSH

Kreu i SPAK-ut, Altin Dumani, gjatë raportimit vjetor në Komisionin parlamentar të Ligjeve, deklaroi se investimet në prona të luajtshme e të paluajtshme, përdorimi i bankave dhe bizneseve shqiptare janë disa prej skemave dhe formave të pastrimit të parave të krimit të organizuar në Shqipëri.

“Një nga skemat komplekse të pastrimit të parave në Shqipëri përfshin përdorimin e bankave dhe bizneseve shqiptare si ndërmjetës për organizatat kriminale ndërkombëtare, si mafia italiane. Në një rast, një biznes shqiptar bashkëpunoi për t’u dhënë akses përfaqësues të mafies ndërkombëtare që të integronte të ardhurat kriminale në sektorin bankar për shtresëzimin e transfertave që pastaj do të transferoheshin po me ndihmën e biznesit vendas jashtë vendit”,- deklaroi Dumani.

Kreu i SPAK-ut shtoi se bashkëpunimi shumë i mirë me bankat e nivelit të dytë dhe FIU-Agjencia e Mbikëqyrjes Financiare bëri që ky operacion i grupeve kriminale të dështonte, citon “ATSH”.

Dumani tha se hetimet e vitit 2023 tregojnë se grupet kriminale shqiptare janë përfshirë në tregun ndërkombëtar të trafikimit të drogave të forta duke pasur dhe kontrolluar trafikun e ciklit të mbyllur dhe duke pasur pozicion dominues në vendet e origjinës, përfshirë edhe ato në Amerikën Latine.

“Disa prej veçorive janë anëtarësia prej 20-25 persona, aktiviteti polikriminal, dhuna për kontroll territori, përfshirja e femrave në pozicione dytësore, vrasje të sofistikuara me pagesë, komunikimet e koduara dhe konvertimi i parave në kriptovaluta”,- evidentoi Dumani.

Ai e konsideroi shqetësim veprimtarinë e sofistikuar të grupeve kriminale të cilat operojnë nëpërmjet “call-center”.

Gjithashtu, Dumani deklaroi se tregjet kriminale në Shqipëri paraqesin situatë shqetësuese me grupe aktive në qytete si Tiranë, Durrës, Vlorë, Gjirokastër, Fier, Shkodër, Elbasan, Kurbin dhe Fushë-Krujë. (Elona)