Mijëra iranianë i japin lamtumirën presidentit Ebrahim Raisi
2024-05-22 10:47:40

Foto nga VCG

Dhjetëra mijëra iranianë u mblodhën të martën për t'i dhënë lamtumirën presidentit Ebrahim Raisi dhe shtatë shoqëruesve të tij, që mbetën të vrarë të dielën nga përplasja e helikopterit me të cilin po fluturonin, shkruan “RTSH”.

Aksidenti ndodhi në malet e qytetit veriperëndimor të Tabrizit, ku zyrtarët po ktheheshin pas inaugurimit të një dige në kufi me Azerbajxhanin.

Forcat e Armatosura iraniane po hetojnë shkaqet e aksidentit.

Përveç presidentit Raisi humbën jetën edhe ministri i Jashtëm, Hossein Amir-Abdollahian, pjesëtarë të autoriteteve lokale dhe ekipi i sigurisë i presidentit.

Ceremonisë funebre iu bashkuan edhe qytetarët me flamuj dhe portrete të presidentit të ndjerë 63-vjeçar.

Kjo ishte dita e dytë e zisë nga pesë ditë të shpallura nga udhëheqësi suprem i vendit, ajatollahu Ali Khamenei.

Arkivolet u transportuan në qytetin qendror të Komit, i cili ka një domethënie të madhe fetare, ndërsa sot është parashikuar ceremonia më e madhe në Teheran, në praninë edhe të liderit Khamenei dhe personalitete të huaja.

Varrimi i Raisit në qytetin e shenjtë të Mashadit është planifikuar për ditën e enjte.

Lideri suprem ajatollah Ali Kamenei ka caktuar zëvendëspresidentin Mohammad Mokhber për të marrë drejtimin e qeverisë deri në zgjedhjet e reja. (Elona)