Norvegjia, Irlanda dhe Spanja njoftojnë njohjen e shtetit të Palestinës
2024-05-22 20:34:31

Norvegjia, Irlanda dhe Spanja njoftuan të mërkurën njohjen e shtetit të Palestinës.

foto: VCG

foto: VCG

Kryeministri i Norvegjisë Jonas Gahr Støre dhe ministri i Jashtëm i këtij vendi Espen Barth Eide shpallën në një konferencë shtypi se Norvegjia do të njohë shtetin e Palestinës. Støre deklaroi se kjo njohje do të hyjë në fuqi më 28 maj.

Edhe kryeministri spanjoll, Pedro Sánchez, njoftoi në Dhomën e Deputetëve se Spanja do ta njohë shtetin e Palestinës më 28 maj.

Po atë ditë, kryeministri i Irlandës, Simon Harris, gjithashtu deklaroi se vendi i tij do të njohë zyrtarisht shtetin e Palestinës.

Ministri i Jashtëm izraelit, Israel Katz, njoftoi menjëherë tërheqjen e ambasadorëve të Izraelit nga Irlanda dhe Norvegjia për konsultime mbi vendimin e këtyre dy vendeve.

Në një deklaratë, Katz theksoi se Izraeli i ka dërguar një mesazh të qartë Irlandës e Norvegjisë se nuk do të qëndrojë i heshtur.

Presidenti palestinez Mahmoud Abbas publikoi një deklaratë, ku vlerësoi dhe mirëpriti njohjen e shtetit të Palestinës nga Norvegjia, Irlanda dhe Spanja.

Në deklaratë thuhet se vendimi i tre vendeve është një shpëtim për zgjidhjen me dy shtete që është dëmtuar nga politikat e njëanshme të Izraelit, veçanërisht nga veprimet ushtarake izraelite në Rripin e Gazës. Ky vendim është një mbështetje për të drejtat e ligjshme të popullit palestinez dhe kontribuon në realizimin e së drejtës së vetëvendosjes të popullit palestinez në tokën e tij, si edhe në hedhjen e hapave konkretë për të mbështetur zbatimin e zgjidhjes me dy shtete. Kjo është një dëshmi e mëtejshme se populli palestinez ka të drejtë të gëzojë një jetë me liri, drejtësi dhe pavarësi, theksohet në deklaratë.

Hamas, Lëvizja Islamike e Rezistencës Palestineze, gjithashtu publikoi një deklaratë ku mirëpret vendimin e Norvegjisë, Irlandës dhe Spanjës për të njohur shtetin e Palestinës.

Më 10 maj, sesioni i 10-të i posaçëm emergjent i Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së miratoi me 143 vota pro, 9 kundër dhe 25 abstenime një rezolutë që pohon se Palestina i plotëson kushtet për t'u bërë anëtare e OKB-së sipas Kartës së Kombeve të Bashkuara e duhet të pranohet si anëtare në këtë organizatë. (Li Huailiang/Artan)