Ministria e Mbrojtjes, projektligj për krijimin e shoqërisë shtetërore për prodhimin e armëve
2024-05-22 11:52:32

Ministria e Mbrojtjes (Foto ATSH)

Ministria e Mbrojtjes (Foto ATSH)

Ministria e Mbrojtjes ka nxjerrë për konsultim publik projektligjin “Për krijimin e shoqërisë shtetërore për prodhimin dhe tregtimin e armëve, municioneve, pajisjeve dhe teknologjive ushtarake”.

Në relacionin shpjegues që shoqëron projektligjin thuhet se drafti ka si qëllim krijimin e një shoqërie shtetërore për prodhimin, demilitarizimin dhe tregtimin e armëve, municioneve, pajisjeve dhe teknologjive ushtarake, si dhe përcaktimin e rregullave për organizimin dhe funksionimin e veprimtarisë së saj, citon “ATSH”.

Gjithashtu, ky projektligj ka për qëllim të shërbejë si akt themelimi për shoqërinë “KAYO sh.a.”.

Nëpërmjet kësaj nisme bëhet e mundur krijimi i një strukture të re në formën e një shoqërie tregtare me të gjitha kapacitetet e nevojshme për të ndërvepruar në tregun e sotëm kombëtar dhe ndërkombëtar.

Vetëm përmes një shoqërie të tillë mund të aktivizohen dhe funksionojnë mekanizmat e nevojshme për rivitalizimin e kapaciteteve të trashëguara të industrisë ushtarake, në kuadrin e dinamikave aktuale në ambientin ndërkombëtar strategjik të sigurisë, vendimet dhe standardet e NATO-s.

Gjithashtu, ky proces ka për qëllim të nxisë inovacionin dhe zhvillimin teknologjik në fushën e industrisë së mbrojtjes, nëpërmjet një bashkëpunimi të ngushtë me sektorin privat.

Me anë të kësaj nisme ndërmerret hapi i parë drejt rivitalizimit të industrisë ushtarake. Në këtë mënyrë, Shqipëria forcon pozicionin e saj strategjik në rajon, duke u bërë një aktor më i rëndësishëm në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë, e përqasur me objektivat e Aleancës së Atlantikut të Veriut.

Efektet fillestare të këtij projektligji në momentin e krijimit të kësaj shoqërie janë në vlerën 300 milionë lekë dhe do të përballohen nga fondi rezervë. (Elona)