Balluku për hekurudhën Tiranë-Durrës: Rijetëzojmë sektorin, projektet do të vijojnë
2024-05-22 10:05:47

Foto nga ATSH

Puna për ndërtimin e hekurudhës Tiranë-Durrës, me degëzim në aeroportin “Nënë Tereza”, po vijon me ritme të shpejta. Kanë përfunduar afro 70% e punimeve fizike, si dhe 90% e veprave të artit që janë pjesë e këtij projekti.

Zëvendëskryeministrja, njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, së bashku me drejtorin e Hekurudhës, Ergys Verdho, ndoqën nga afër ecurinë e punimeve.

Ministrja Balluku e cilësoi këtë projekt si një ndër më të rëndësishmit duke theksuar se qeveria prej kohësh ka nisur një strategji për rijetëzimin e këtij sektori, ku Tiranë-Durrës është projekti i parë që do të pasohet edhe me projekte të tjera, citon “ATSH”.

“Është një nga projektet më të rëndësishme të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, një projekt i nisur prej kohësh me një vonesë të konsiderueshme për sa i përket pjesës së aprovimit të financimit. Megjithatë, të gjitha këto janë kapërcyer dhe sot kemi një kantier me ecuri të kënaqshme. Hekurudha është një nga mjetet e transportit alternativ, një nga mjetet e transportit miqësor me ambientin, por edhe me financat e qytetarit. Shqipëria prej kohësh ka nisur një strategji në zhvillimin e rrjetit hekurudhor. Ky është projekti i parë që ne tashmë mezi presim që ta dorëzojmë”,- tha Balluku.

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë u ndal më tej edhe te dy projekte të tjera të rëndësishme, të sektorit hekurudhor, siç është Vorë-Hani i Hotit apo edhe projekti i Korridorit VIII, projekte të cilat do të jetësohen edhe falë mbështetjes së Bashkimit Europian.  (Elona)