I dërguari kinez në OKB kërkon ndalimin e menjëhershëm të sulmit të Izraelit në Rafah
2024-05-21 20:17:05

I dërguari kinez në OKB u shpreh të hënën se Izraeli duhet të ndalojë menjëherë operacionet ushtarake në qytetin Rafah në Rripin e Gazës.

Pavarësisht kundërshtimeve të forta nga bashkësia ndërkombëtare, Izraeli ende vazhdon sulmin e tij në shkallë të gjerë në Rafah, duke zhvendosur qindra mijë banorë të Gazës, tha Fu Cong, i dërguari i përhershëm i Kinës në OKB, duke shprehur shqetësim të thellë e kundërshtim të fortë ndaj veprimeve të Izraelit.

foto: VCG

foto: VCG

"Asgjë nuk mund të justifikojë vazhdimin e konfliktit. Ndëshkimi kolektiv ndaj civilëve nuk krijon kushte të mira për shpëtimin e pengjeve. Izraeli duhet të ndalojë menjëherë operacionin e tij ushtarak në Rafah," theksoi ai në Këshillin e Sigurimit të OKB-së.

Kina mbështet veprimet e mëtejshme të Këshillit të Sigurimit për të siguruar zbatimin e Rezolutës 2728, e cila kërkon një armëpushim humanitar, tha Fu, duke shtuar se Kina gjithashtu shpreson që ShBA-ja, si një vend me ndikim të madh mbi Izraelin, të mbajë një qëndrim të paanshëm dhe të lehtësojë në mënyrë efektive arritjen e një armëpushimi dhe ndërprerjen e armiqësive.

foto: VCG

foto: VCG

Kina do të vazhdojë të punojë pa u lodhur së bashku me bashkësinë ndërkombëtare për të promovuar një armëpushim të menjëhershëm në Gazë, për të zbutur katastrofën humanitare dhe për të zbatuar zgjidhjen me dy shtete, në mënyrë që "Nakba" të mbetet përgjithmonë pjesë e së kaluarës, Palestina e Izraeli të jetojnë krah për krah në paqe dhe Lindja e Mesme të gëzojë paqe dhe qëndrueshmëri të vazhdueshme, u shpreh i dërguari kinez në OKB. (Li Huailiang/Artan)