Prokurori i GJPN-së kërkon urdhërarreste për Netanyahun dhe udhëheqësit e Hamasit
2024-05-21 14:30:41

Foto nga ATSH

Foto nga ATSH

Kryeprokurori në Gjykatën Penale Ndërkombëtare (GJPN) ka kërkuar urdhërarresti për kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu dhe udhëheqësit e lartë të grupit ekstremist palestinez Hamas, për krimet e luftës të kryera në Izrael dhe Gaza.

Prokurori Karim Khan tha se ai po kërkon urdhërarrest për Netanyahu dhe ministrin e tij të Mbrojtjes, Yoav Gallant, për krime të dyshuara lufte dhe krime kundër njerëzimit të kryera në Rripin e Gazës, duke filluar më 8 tetor, një ditë pasi militantët e Hamasit filluan sulmin e tyre të paprecedentë ndaj Izraelit.

“Midis akuzave janë vrasja e civilëve si metodë lufte dhe drejtimi i qëllimshëm i sulmeve kundër një popullsie civile”,- tha një deklaratë Khan.

Urdhërarrestete janë kërkuar edhe për Yehya al-Sinwar, liderin e Hamasit në Gazë, së bashku me Mohammed Diab Ibrahim al-Masri, kreun e krahut ushtarak të grupit dhe Ismail Haniyeh, i cili ulet në krye të byrosë politike të Hamasit dhe shihet si udhëheqësi i përgjithshëm i grupit.

Khan tha se ata janë përgjegjës për vrasje, përdhunime, pengmarrje, tortura dhe akte të tjera çnjerëzore nga të paktën 7 tetori.